1.1 C
Pec
E martë, 31 Janar, 2023

Vlerat preliminare të dëmeve nga vërshimet në Kosovë arrijnë miliona euro

Disa qytete në Kosovë janë përballur me vërshime si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, derisa ende nuk dihet saktë shifra e dëmeve që janë shkaktuar në komunat e prekura.

Ndërkohë, në komunat e prekura nga vërshimet janë formuar komisione për evidentimin e dëmeve.

Raporti fillestar i vlerësimit tregon se dëmet nga vërshimet në Komunën e Skenderajt janë miliona euro.

Sipas kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura, dëmet nga vërshimet janë shumë të mëdha që arrijnë deri dhjetra miliona euro andaj ai gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 22 janar, kërkoi përkrahjen nga niveli qendror për riparimin e dëmeve.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në Skenderaj janë dërguar cisterna me ujë të pijes, por edhe batanije dhe ka nisur edhe ofrimi i tri shujtave për 500 persona. Ndërkaq, në Mitrovicë të Jugut, rreth 100 persona janë zhvendosur nga shtëpitë dhe janë akomoduar në vende të ndryshme. Edhe në këtë komunë janë dërguar cisterna me ujë të pijes, teksa zjarrfikësit po vazhdojnë punën për hapjen e kanaleve anësore për qarkullimin e ujërave dhe rënien e nivelit të ujit.

Komuna e Skenderaj ka ofruar për qytetarët e prekur nga vërshimet produkte ushqimore dhe higjienike.

Ndërkaq, Komuna e Klinës ka ftuar qytetarët që të paraqiten në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente nga data 23 deri me 30 janar për plotësimin e aplikacioneve për vlerësimin e dëmeve.

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se kanë marrë përsipër që brenda mundësive financiare të bëhet kompensimi i dëmeve, por sipas tyre, në një gjendje të tillë, presin reflektim e mbështetje edhe nga niveli qendror.

Rreth 65 shtëpi janë vërshuar tërësisht në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë derisa rreth 100 të tjera janë dëmtuar pjesërisht, vlera materiale e të cilave sillet mbi gjysmë milion Euro.

Komuna e Istogut ka bërë të ditur se dëmet nga vërshimet shkojnë deri në 2997.300.00 €, shifër kjo  që mbetet si vlerë preliminare e demit.

Në të njejtën kohë nga Komuna e Istogut ftojnë të gjithë qytetarët e dëmtuar të paraqesin kërkesat për kompensim të dëmit pranë administratës komunale.

‘Sa i përket përgjegjësisë se komunës është që t’i ftoj të gjithë qytetarët e dëmtuar nga vërshimet të paraqesin kërkesat për kompensim të dëmit pranë administratës komunale dhe komisionet e formuara për vlerësimin e dëmeve do të merren me procedurën e kompensimit’, tha zyrtarja për marrëdhënie me publikun Delvinë Sylaj.

Megjithatë, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar të dielën, më 22 janar, nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë një fond emergjent komunave.

Kjo kërkesë e AKK vjen pas vërshimeve që përfshin disa komuna të Kosovës gjatë kësaj jave, që shkaktuan dëme në ekonomitë familjare, bizneset, infrastrukturë rrugore e të tjera.

“Vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore. Bordi i AKK-së kërkon që fondin emergjent ta menaxhojnë komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre”, thuhet në një njoftim për media të AKK-së.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se situata mund të vështirësohet edhe më shumë, pasi që parashihet të ketë sërish reshje shiu

“Kjo gjendje mund ta vështirësojë edhe më tutje situatën, ngase rrjedhat ujore të këtyre zonave janë në kapacitetet e tyre maksimale. Tokat, sidomos ato në viset e rrafshëta, janë të tejngopura me ujë dhe është limituar kapaciteti i tyre absorbues, gjegjësisht lagështia e tokës në shtresën sipërfaqësore”, thuhet në një njoftim të IHMK-së, të lëshuar të dielën.

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.

Të gjitha këto shifra të dëmeve nuk janë përfundimtare, por mbeten si shifra preliminare deri në lëshimin e raporteve nga komisionet e formuara për secilën komunë./Njeshi&Sk/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...