Prokuroria Kukës jep masa sigurie për 22 punonjës së policisë së Shtetit, përvetësuan 2 milionë lekë nga vjelja e gjobave për makinat me targa të huaja.
Në kuadër të operacionit të koduar “Targa e huaj”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar Urdhërin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ndaj 22 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprat penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës kërkoi masa sigurimi “Arrest në burg”, ‘Arrest në shtëpi’, ‘Pezullim nga detyra’ dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 22 punonjës të Policisë së Shtetit, Seksioni i Qarkullimit Rrugor në autostradën Milot-Morinë nën akuzë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 135 të Kodit Penal.
Nga hetimet disa mujore me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore i abuzimit të punonjësve të policisë së qarkullimin rrugor, në rastet e konstatimit të shkeljeve nga ana e drejtuesve të mjeteve me targa të huaja.
Duke keqpërdorur aksesin në sistemer dhe databazat e Policisë së Shtetit, punonjësit e policisë në terren, konstatonin shkeljen, administronin shumën monetare duke i dhënë drejtuesit të mjetit procesverbalin përkatës dhe në vijim nuk kryenin arkëtimet dhe nuk bënin pasqyrimet përkatëse në sistem, me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga gjobat administrative, në shumën prej 2.200.000 lekë.
Konkretisht, u ekzekutuan vendimet për masat e sigurimit personal:
“Arrest me burg” ndaj punonjësit të policisë N/Komisar K.M., 43 vjeç, me detyrë Specialist i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Shkodër, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
“Arrest me burg” ndaj punonjësit të policisë Inspektor B.S., 47 vjeç , me detyrë Trupë Shërbimi në Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autostradave, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Punonjësi i policisë është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
“Arrest me burg” ndaj punonjësit të policisë Inspektor G.GJ., 42 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autostradave, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
“Arrest me burg” ndaj punonjësit të policisë A.SH., 36 vjeç, Trupë Shërbimi në Seksionin Operacional për Sigurinë Rrugore në Grupin e Pajisjeve Speciale, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
“Arrest me burg” ndaj punonjësit të policisë Inspektor N.P., 53 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”./Njeshi/