11.9 C
Pec
E premte, 24 Maj, 2024

Votimi në veri, Krasniqi: Kosova përmbushi pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në reagimin e tij të parë pas përfundimit të procesit të votimit në veri ka thënë se qeveria siguroi infrastrukturën dhe dha mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik.

“Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë nga komuniteti ndërkombëtar”, ka shkruar Krasniqi në platformën X.

Edhe ai sikurse Presidentja ka kërkuar reagimin e Bashkimit Evropian sa i përket largimit të masave ndaj Kosovës.

“Ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës. Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës”.

“Ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të frenohet më nga sjellja e përsëritur destruktive e Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.

 

Për zgjedhjet në veri ka reaguar edhe Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, i cili është shprehur i kënaqur se si ka shkuar procesi i votimit në katër komunat veriore.

Përmes një postimi në platformën X, Barbano ka thënë se për EULEX-in është i pranueshëm zhvillimi i një procesi paqësor të votimeve.

“Pas përfundimit të votimit, EULEX-i pranon mënyrën paqësore në të cilën u zhvillua procesi. Përshëndesim përpjekjet e shfaqura nga të gjithë ata që janë përfshirë në ofrimin e sigurisë në 4 komunat veriore gjatë gjithë ditës”, ka shkruar Barabano.

Ndryshe pas përfundimit të votimit në veri, Presidentja Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në proces.

Ajo tha se qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan mundësinë për ndryshimin e kryetarëve për shkak të presionit të Beogradit.

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...