12.7 C
Pec
E enjte, 23 Maj, 2024

Vrasja në ‘Bon Vivant’, Andi Pajazitit i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

I dyshuari kryesor për vrasjen e Kastriot Ramadanit në lokalin “Bon Vivant” më 07.08.2023, Andi Pajaziti, do të mbahet në paraburgim edhe për 2 muaj të tjerë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A. P.,  Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda më datë 03.05.2024  ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A. P, i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”- thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit tashmë 9 muaj.  Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 7 gusht  2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.

Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.

Për herë të fundit Gjykata ia kishte vazhduar paraburgimin në kohëzgjatje po prej 2 muajsh Andi Pajazitit më datë 04.01.2024.

Masa paraprake ishte paraparë të përfundonte më 05.03.2024, por përkitazi me këtë vendim të gjykatës Andi Pajaziti do të vazhdojë qëndrimin në paraburgim.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani, së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit 2023 gjendeshin në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Policia e Kosovës kishte njoftuar më 11 gusht 2023 se ka shpallur në kërkim Dukagjin Nikollajn, nën dyshimin se ai ka kryer katër vepra të ndryshme penale dhe se i njëjti dyshohet se ishte i përfshirë edhe në rastin e ‘Bon Vivant’. I njëjti ende gjendet në kërkim.

Në kërkesën fillestare për paraburgim të përpiluar nga prokurorja Dulina Hamiti shpjegohet momenti kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Sipas Prokurorisë, fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani me një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet me armë zjarri, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili kishte vdekur në QKUK.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Andi Pajaziti, sipas Prokurorisë, po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Vepër penale e cila sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me jo më pak se 10 vite dënim me burgim ose me dënim me burgim të përjetshëm.

Pajaziti, sipas Prokurorisë, dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...