Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka dhënë detaje rreth rastit të vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika një natë më parë në shkallët e banesës së tij në Kaçanik.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, në një konferencë për media ka thënë se kanë qenë dy persona të cilët dyshohet se e kanë kryer krimin.
Ai tha se bazuar në pamjet që i kanë parë nuk kanë arritur t’i identifikojnë, por siç tha “ishin dy persona të rinj me kapele duke vrapuar pas kryerjes së krimit”.
“Mbrëmë më 1.04.2025 rreth orës 23:00 në vendin Kaçanik nga persona të panjohur është vrarë rreshteri Muhamend Lika, i njëjti në kohën kur ka ndodh rasti ka qenë duke u kthyer nga puna, dhe në shkallët e banesës nga plumbat ka ndërruar jetë. Aktin e kanë kryer dy persona dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes. Pasi është njoftuar Policia ka ndërmarr të gjithë veprimet në bashkëpunim me prokurorinë e krimeve të rëndë Ismet Rrahmani i cili qysh mbrëmë deri në orët e mëngjesit ka qenë në vendin e ngjarjes me të gjithë ekipet hetimore”, tha ai.
Ai po ashtu tha se Policia duke vepruar me autorizimin e Prokurorit janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme në gjetjen dhe kapjen e autorëve të kësaj vrasje.
“Jemi duke hetuar në arsyen dhe motivin e kësaj vrasje të rëndë. Që nga nata e mbrëmshme hetuesit janë në terren për të identifikuar dhe vlerësuar çdo dëshmi e provë që do të na drejtojë në pistën e krimit…”, tha ai.
Gjithashtu Çerkini tha se gjatë punës hetimore, mbrëmë dhe sot janë ndërmarr shumë veprime hetimore “Janë intervistuar shumë persona, dëshmitar, persona që kanë rastisë në vendin e ngjarjes dhe që do të na shpien në zbardhjen e kësaj çështje…”.
“Vrasja e pjesëtarit të rreshterit të Kosovës është një rast që ka tronditur gjithë opinionin. Ai në këtë shërbim ka dhënë një kontribut të madh. Si prokurori themelore në ferizaj vlerësojmë lart anagzhimin e tij në kryerjen e detyrave shtetërore dhe prandaj kjo është një humbje e madhe për Policinë, prokurorinë, familjen e shoqërinë. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta…”.
Çerkini po ashtu mohoi të gjitha informacionet se janë gjetur dhe arrestuar të dyshuarit, duke thënë se deri më tani nuk ka persona të arrestuar për këtë çështje.
“E di që kanë rrjedh informata dhe dyshime për arrestimin e personave, mirëpo deri më tani nuk kemi persona të arrestuar për këtë çështje penale. Deri më tani nuk dimë arsyen dhe motivin që ka çuar deri në këtë rast makabër. Siç dihet në Kosovës në 10 ditëshin e fundit është vrasja e pestë dhe shpresojmë që ky të jetë rasti i fundit”, tha prokurori Çerkini. /Njeshi/