15 C
Pec
E mërkurë, 22 Maj, 2024

“Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij”, ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Ish diplomatë serbë vlerësojnë se paraqitja e fundit e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kombet e Bashkuara në Nju Jork do të mbetet i regjistruar në analet diplomatike për serinë e skandaleve që ai krijoi me fjalorin e tij jo diplomatik.

Sipas ish-diplomatëve në Beograd, askush nuk u kursye nga Vuçiqi, “i madh apo i vogël, dhe të gjitha në kohën kur pritet votimi në OKB për Rezolutën për Srebrenicën, si dhe votimi në Këshillin e Evropës për pranimin e Kosovës në atë organizatë, ku çdo votë është i mirëpritur”.

“Vuçiq mendon se me kolegët e tij të huaj mund të sillet ashtu siç sillet në Serbi ndaj vasalëve të tij, t’i quajë si të dojë, por pa asnjë pasojë. Në shoqëritë e rregullta kjo nuk është e mundur, të paktën jo pa pasoja”, kanë thonë ish-diplomatët serbë.

Siç shkruan “Danas”, e fundit në serinë e skandaleve është deklarata e Vuçiqit, në të cilën ai i quan sllovenët “të neveritshëm”, dhe që shkaktoi reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, por edhe të kryeministrit slloven Robert Golob

Për të gjitha këto, presidenti i Serbisë është dashur t’u kërkojë falje qytetarëve sllovenë, me një “por”. Ai refuzoi t’u kërkonte falje politikanëve sllovenë dhe për këtë arsye i acaroi më tej marrëdhëniet me Slloveninë.

Të përkujtojmë, Vuçiq tha të martën, pas seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, se Serbia ka rënë në kurthin e ngritur nga SHBA-ja, Zvicra dhe Sllovenia.

“Kur u vonua seanca e Këshillit të Sigurimit, mendova se për çfarë bëhej fjalë, por më pas kuptuam se për këtë ishin marrë vesh me amerikanët, sllovenët dhe zviceranët. Nuk dihet kush është më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër”, tha Vuçiq.

Pas kësaj deklarate, Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë e ftoi të ngarkuarin me punë në ambasadën e Serbisë në Lubjanë për intervistë. E ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, i quajti fyese dhe të papranueshme fjalët e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Kërkojmë shpjegim, falje. Kjo nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësore. Presim që Serbia të veprojë në frymën e vlerave evropiane që mbron”, tha Fajon dhe shtoi se nuk imagjinon bashkëpunim të mirë nëse dikush del me fjalë të tilla ofenduese dhe fyen mbarë kombin.

Ka reaguar edhe kryeministri slloven Robert Golob, i cili ka theksuar se Vuçiq ka përdorur shprehje jashtëzakonisht fyese që nuk i përkasin presidentëve të shteteve, e aq më pak marrëdhënieve miqësore mes popullit slloven dhe serb.

“Fjalët të kujtojnë një kohë tjetër dhe janë të padenja për nivelin e arritur të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sllovenia kryen punën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe sinqerisht mbron paqen dhe pajtimin mes popujve, prandaj është më e pakta që mund të presim nga presidenti i Serbisë mike, i cili përndryshe është mysafir i rregullt në vendin tonë”, tha kryeministri. Zyra e Golobit.

Dhe më pas erdhi apologjia e Presidentit të Serbisë për opinionin slloven, për shkak të deklaratës nga Nju Jorku se “sllovenët ishin më të neveritshmit”.

“Nëse kam ofenduar dikë, dua t’i kërkoj falje gjithë publikut dhe popullit të Sllovenisë, por në të njëjtën kohë them se nuk do t’u kërkoj falje politikanëve sllovenë, sepse ata udhëheqin një politikë të neveritshme ndaj Serbisë dhe popullit serb. Dëshironi të më thoni se nuk është e tmerrshme që ata shkelin integritetin territorial të vendit tonë dhe se nuk është e tmerrshme që ata sponsorizojnë Rezolutën për Srebrenicën kundër popullit tonë, pa u konsultuar, informuar apo pyetur ne”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Ai ftoi kryeministren dhe presidenten e Sllovenisë Roberta Golob dhe Natasha Pirc Musar në Beograd për të “kërkuar edhe një herë falje nëse është e nevojshme”.

Vuçiq tha gjithashtu se Sllovenia nuk i dërgoi notë proteste Serbisë për shkak të deklaratës së tij dhe se ata ishin të “korrektë” në këtë drejtim.

“Unë thashë se sllovenët ishin neveritës duke menduar për seancën e Këshillit të Sigurimit dhe i referohet individit që foli për të dhe politikën e tyre. Sigurisht që nuk është fjalori që duhet të përdorim, por në mënyrë njerëzore thashë atë që mendoj për politikën e tyre”, tha Vuçiq, para gazetarëve në Nju Jork.

“Sa i përket sllovenëve, mendoj të gjithë të mirat për ta si popull, kam miq dhe familje në Slloveni. Robert Golob ka të drejtë, e kam marrë si kërcënim që nuk duhet të vij kaq shpesh në Slloveni”, tha Vuçiq dhe shtoi se do të “zvogëlojë vizitat tek miqtë dhe familjarët e tij në atë vend”.

Sreçko Gjukiq, një diplomat karriere, thotë se skandali me sllovenët është aq i madh sa presidenti i Serbisë iu desh t’i kërkonte falje “popullit slloven, por jo politikanëve të tyre” (dhe bëhet fjalë për diplomat), sikur ata politikanë nuk janë zgjedhur nga populli slloven, por nga dikush tjetër.

“Natyrisht që njeriu mendon se mund të sillet si në Serbi ndaj vasalëve të tij, t’i quajë si të dojë, pa asnjë pasojë. Qeveria sllovene protestoi menjëherë te i ngarkuari me punë i ambasadës serbe në Lubjanë. Ministrja e tyre e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon, e dënoi sulmin e palejueshëm të Vuçiqit një kryetar shteti ndaj një diplomati që përfaqëson interesat e qeverisë dhe popullit të tij, duke e marrënë mbrojtje diplomatin e tij në OKB , thotë Gjukiq.

Ish diplomati serb përkujton se Sllovenia nuk është Eldorado serbe që dikush të sillet në mënyrë të papranueshme si në “tokën serbe”.

Ai tha se presidentit serb dhe Serbisë iu kthye në të njëjtën masë dhe ashtu siç duhej. Sllovenët e njohin diplomacinë, ndryshe nga pala tjetër, ata reagojnë siç duhet.

“Skandali që u prodhua kësaj radhe me sllovenët, në nivelin më të lartë nga pala serbe, është vetëm më i riu në një listë të tërë të ‘keqkuptimeve’ me sllovenët. Jo shumë kohë më parë, sllovenët nuk e miratuan kandidatin serb për ambasador, Zoran Gjorgjeviq. Kurse Tanja Fajon, Ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, në kohën kur ishte kryetare e komisionit kompetent të Parlamentit Evropian, ishte në shënjestër të vazhdueshme të sulmeve nga ‘Kurora e Andriqit’ për shkak të deklaratave të saj që i bënte thirrje qeverisë serbe të respektojë vlerat evropiane dhe standardet e demokracisë, politikës së jashtme, medias etj. Sepse Serbia është në rrugën evropiane”, kujton Gjukiq.

Ai shton se, për fat të keq, problemi me Slloveninë nuk është një rast i izoluar. “Problemet janë në pakënaqësinë e Beogradit me ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, me disa më shumë, me të tjera pak më pak, por ata e kanë gabim si gjithmonë dhe Serbia ka si gjithmonë të drejtë”.

“Përveç të gjitha pyetjeve të hapura që kemi, të cilat vazhdojnë me vite, tani kemi një tjetër të re – një rast të quajtur Slloveni. Dhe kjo në një situatë ku Sllovenia, e cila është në NATO dhe BE, tani është gjithashtu një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndryshe, marrëdhëniet bilaterale me shtetet e rajonit kanë qenë të stagnuara për një kohë të gjatë. Marrëdhëniet dypalëshe me Slloveninë ishin të shkëlqyera deri vonë, pra deri në zgjedhjen e qeverisë së re dhe në kohën kur Borut Pahor ishte president i Sllovenisë. Sot nuk janë më, për më tepër, janë përkeqësuar në mënyrë drastike deri në atë pikë sa i ngarkuari ynë me punë thirret në MPJ sllovene për të marrë notë proteste”, thekson Branka Latinoviq, një ish-ambasadore serbe

Ajo kujton edhe vizitën e fundit të presidentes së re të Sllovenisë dhe konferencën për shtyp dhe komentet e saj publike, refuzimin për të dhënë pëlqimin për ambasadorin e ri të Serbisë në Slloveni dhe tani, pas kësaj vjen ‘deklarata jodiplomatike e Vuçiqit’ dhe reagimi i menjëhershëm i autoriteteve sllovene dhe komenti i presidentit të Serbisë në këtë drejtim.

“E gjithë kjo konfirmon edhe një herë mungesën e kultivimit të një fjalori të sofistikuar që politikanët tanë duhet ta përdorin kur dalin në skenën publike. Dhe shpeshherë ‘harrojnë’ dhe komunikojnë me politikanët e huaj, me gjuhën për konsum të brendshëm, praktikë e cila gjithashtu duhet ndryshuar”, thotë Latinoviq, duke kujtuar fjalorin e përdorur nga zyrtarët serbë kur ishte fjala për Tanja Fajon. Siç thotë ajo, shefja i diplomacisë sllovene me siguri e mban mend atë fjalor.

Latinoviq thotë se “Serbia me të drejtë është e ndjeshme kur dikush reagon ndaj problemeve tona, në këtë rast Sllovenia, në një mënyrë që nuk e prisnim”.

“Por, nuk është momenti për të acaruar marrëdhëniet me askënd, por për të përmirësuar ato marrëdhënie. Para së gjithash, me vendet nga fqinjësia jonë e afërt dhe më gjerë. Në diplomaci është e rëndësishme, në situata të caktuara, të dihet të përmbahet nga reagimi i shpejtë, nëse vlerësohet se nuk do të ishte veçanërisht e dobishme. Mendoj se ky rast me Slloveninë është një nga ata, nuk është kurrë vonë për të reaguar për diçka edhe më vonë. Dhe Tanja Fajon priti dhe mirëpriti rastin”, përfundon ajo.

Katër vjet më parë, Tanja Fajon, ish-deputetja e Parlamentit Evropian, e cila ndërmjetësoi dialogun ndërpartiak, nuk ishte një mysafire e mirëpritur në Serbi. Këtë ia kanë thënë hapur dhe qartë përmes epiteteve të ndryshme kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Ana Brnabiq, si dhe zëdhënësit e Vuçiqit, Vladimir Gjukanoviq dhe Aleksandar Martinoviq.

Derisa u emërua në postin e ministres së Jashtme, Fajon praktikisht ishte “persona non grata”.Madje shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, kisht kërkuar përjashtimin e Fajonit nga pozita e ndërmjetësit në dialogun ndërpartiak.E quanin studente të Sorosit, idiote dhe tani Tanya Fajon është dikush që vendos.

Një skandal i vogël u regjistrua edhe gjatë vizitës së parë zyrtare të presidentes sllovene Natasha Pirc Musar në Serbi, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Aleksandar Vuçiqin. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...