Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai qëndron prapa atyre që ka thënë në Bruksel dhe Beograd, kur bëhet fjalë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Vuçiq, duke folur për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se “nuk bëhet fjalë për anëtarësim në OKB dhe as për njohje”. Lidhur me këtë deklaratë të presidentit serb, Vela ka thënë se kjo është një shkelje që do të penalizohet.
“Edhe pse Vuçiq u angazhua për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshja për Kosovën, duke përfshirë anëtarësimin në çdo organ ndërkombëtar (neni 4), ai vepron me keqbesim dhe thotë se Serbia nuk do të pranojë anëtarësimin në OKB, institucionet, agjencitë dhe organizatat e saj! Një shkelje që do të penalizohet!”, ka shkruar Vela, në një postim në Twitter.
Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre./Njeshi/