Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën vonë se ka biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte e shkëlqyer, me përmbajtje, dhe do të thosha shumë e përzemërt”, tha Vuçiq në Instagram.
Ai tha se ndihet “mirënjohës” ndaj Trump që ai “menjëherë dinte shumë gjëra për Serbinë”.
“Shpreha shpresën time që ai do ta vizitojë Serbinë, pasi Serbia ishte vendi ku mbështetja për zgjedhjen e presidentit Trump ishte më e madhja në gjithë Evropën”, tha ai.
Vuçiq ishte ndër liderët e parë botërorë që e uruan Trumpin për fitoren. Presidenti serb madje ia uroi atij kthimin në Shtëpinë e Bardhë ende pa u bërë e ditur zyrtarisht se ish-presidente kishte fituar herët më 5 nëntor.
Gjatë viteve që administrata amerikane është udhëhequr nga presidenti demokrat Joe Biden, Serbia dhe liderët e saj politikë kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie të ngushta me ish të dërguarin amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.
Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.
Grenell është ende aktiv në fushatën presidenciale të Trumpit.
Ndërkohë, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka investuar në ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Serbia ka nënshkruar një kontratë me firmën e Kushnerit për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Në vendin e rrënojave nga bombardimet, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të larta me apartamente dhe hotele, megjithëse nga ky objekt, i ndërtuar mes viteve 1955 dhe 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes si pasuri kulturore.
Shumë vëzhgues të Ballkanit e kanë parë marrëveshjen me Kushnerin si përgatitje të Serbisë për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Gjithashtu, gjatë administratës së parë Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por shumica e pikave të saj kanë mbetur pa u zbatuar.
Në atë administratë ka pasur edhe zyrtarë që kanë folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre – por edhe për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. /Njeshi&REL/