17.2 C
Pec
E mërkurë, 20 Tetor, 2021

Vuçiq: Ushtria serbe nuk do të futet në Kosovë, paqja është e nevojshme – pret reagimin nga NATO

Në mbrëmje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëri ka komentuar ngjarjet e fundit në Kosovë.

Sipas tij, Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, sepse me marrëveshjen e Kumanovës dhe vendimet pas saj, si dhe hapjen e vendkalimeve, “ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë”.

“Ne nuk do të hyjmë me trupat tanë. Paqja është më e nevojshme. Ne presim që NATO të reagojë, ne jemi duke pritur për 24 orë. Nëse vazhdon përndjekja e popullsisë, Serbia do të reagojë”, citohet të ketë thënë Aleksandar Vuçiq.

Reagimi i presidentit serb vjen edhe pasi Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka bërë të ditur se ka diskutuar sot me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Stoltenberg përmes një postimi në Twitter, ka theksuar se është qenësore që Prishtina dhe Beogradi të rikthehen në dialog.

“Kam biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për nevojën e ç’tensionimit të situatës në veri të Kosovës. Është qenësore për të dyja Beogradin dhe Prishtinën të përmbahen dhe t’i rikthehen dialogut. Mandati i NATO-s dhe i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar Stoltenberg.

Ndryshe, Kosova më 16 shtator ka vendosur reciprocitet për targat e automjeteve nga Serbia, pas skadimit të marrëveshjes së Brukselit më 15 shtator.

Si rezultat, të gjitha automjetet me targa të Serbisë duhet t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme.

Kjo ka shkaktuar zemërimin e serbëve lokalë, të cilët kanë vendosur barrikada në veri./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...