Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Rashit Qalaj ka folur për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës si dhe paralajmërimet nga ana e Listës Serbe se pjesëtarët e komunitetit serbë nga 1 qershori “do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”.
Qalaj ka thënë se situata në veri të Kosovës është e tensionuar dhe kjo sipas tij nuk është diçka sekrete.
“Nuk është asgjë sekrete. Ne situatën atje e kemi mjaft të tensionuar. Nëse e analizojnë situatën atje, në sipërfaqe duket situatë e qetë. Mirëpo është mjaft e tensionuar, jo tash, por ka disa muaj. Që nga shtatori i vitit të kaluar kemi pas zhvillime të cilat realisht e kanë cenuar rendin dhe ligjin në vend, sidomos në ato pjesë ku kanë ndodhur bllokadat e rrugës e të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur”, ka thënë ai.
Gjithashtu Qalaj foli edhe për procesin zgjedhor që u mbajt në katër komunat veriore. Ai tha se nga aspekti legal dhe formal ka qenë çdo gjë në rregull.
“…Mirëpo i kemi disa kryetarë të zgjedhur tashmë, e që nga aspekti i legjitimitetit lë shumë për të dëshiruar. Konsideroj që procesi ka qenë i suksesshëm në kushtet që është mbajtur edhe pse e dimë që popullata lokale atje, në masë të madhe i ka bojkotuar ato zgjedhje. Disa individë nga vullneti i tyre, e shumica nga kërcënimet e shantazhet që ia ka bërë direkt qeveria e Beogradit dhe presidenti i Serbisë me instrumentet e saj, siç është Lista serbe dhe bota e krimit që operojnë në pjesën veriore”, potencoi Qalaj.
E sa i përket paralajmërimeve të Listës Serbe se nga 1 qershori pjesëtarët e komunitetit serbë “do ta mbrojnë vetën me të gjitha mjetet”, ai tha: “paralajmërimi i Listës Serbe për një zhvillim nga 1 qershori, mendoj që ka lidhje dhe me kryetarët e zgjedhur dhe tash realisht ata kryetar duhet të japin betimin dhe të fillojnë me punë. Por, ka lidhje dhe me shpronësimin e disa pronave atje që në fakt qeveria i ka bërë dhe mendoj që sa i përket pronave publike nuk ka të drejtë askush të kontestojë vendimin e qeverisë. Ndërsa, sa i përket pronave private duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pavarësisht se po ndodhin në veri apo në jug”.
Ish drejtori i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i PDK-së tha se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe Listës serbe i konvenon që ta ketë veriun e Kosovës të trazuar “me incidente, ndoshta dhe me vdekje”.
Qalaj u shpreh se presidenti Vuçiq është i vetëdijshëm për gabimet që ka bërë, dhe tash siç tha ai është në një represion nga vetë qytetarët serbë.
“Presidenti i Serbisë dhe sidomos Lista Serbe i duhet një veprim i tillë për shkak se ata tash janë të vetëdijshëm për gabimet që i kanë bërë dhe gabimi kryesor sipas meje është që ata i kanë nxitur largimin e punëtorëve të komunitetit serbë nga institucionet e Kosovës. Jam thellë i bindur që ata janë në një represion të madh nga vetë ata banorë e qytetarë që kanë mbetur pa paga”, u shpreh Qalaj nga PDK.
Ai po ashtu u shpreh se Vuciqit i konvenon kjo situatë që ta ketë veriun e Kosovës të trazuar, me incidente ndoshta dhe me vdekje.