Policia e Shtetit ka bërë të ditur se janë kapur në Dubai tre shtetas shqiptarë të cilët ishin shpallur në kërkim.
Në njoftim thuhet se ata ishin të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale dhe janë përkrahës të të shumëkërkuarit T. Ç.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe koordinimit konstant të veprimeve operacionale, mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, realizuar nëpërmjet strukturave të Interpolit, u finalizuan në Dubai tri faza të tjera të operacionit ‘The Wanted’.
Policia njofton tutje se janë arrestuar shtetasit:
E.D, 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij, ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S dhe ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç.
M.K., 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A, ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S dhe ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur.
A.Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë, ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç.
Interpol Tirana thekson se po vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri. /Njeshi/