`Lista për Familjen` hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore, e ku ishte i ftuar edhe ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker.
Kryetari i Listës për Familjen, Erman Rrahmani para anëtarëve e mbështetësve tha se si subjekt politik se do t’i mbrojnë vlerat e familjes.
“Secili kandidatë këtu ka synim të mbrojë vlerën e familjes. Duhet që angazhimin e nënave tona ta konkretizojmë me politika tona. Familja është e ardhmja”, tha ai.
Kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli tha se familja është shtylla e shoqërisë.
“Koalicioni për familje është koalicioni i cili mbron shtyllën kryesore të shoqërisë sonë. Traditat gjithmonë janë mbështetur në familje. Jemi këtu për të fuqizuar familjen, ajo është dhe mbetet e shenjtë, do të jetë vendi ku do të edukohet fëmijët tanë”, tha ai.
Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë, pjesë e këtij koalicioni, tha se familjet shqiptare ndër vite kanë dhëne kontribut në shoqëri dhe kanë dhënë forcën e domosdoshme për t’u përballur me sfida.
Lista për Familjen prezantoi listën prej 77 kandidatëve për deputetë.
Nderkohë Ambasadori William Walker ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të fushatës ku ka përshëndetur nga kandidatët për deputet që garojnë nga radhët e këtij koalicioni në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, nuk dihet nëse ambasadori Walker ka ndryshuar edhe bindjet e tij politike, kur dihet se më parë ka mbështetur qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti.
Media ka bërë përpjekje të merr një deklaratë nga ambasadori Walker, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur./Njeshi/