Ministri Gashi tha se arritja e një memorandumi të tillë për qeverinë dhe shtetin është më e pakta që mund të bëjnë për ata, siç i cilësoi po e bëjnë krenar çdo vikend gjithë kombin shqiptar.
Sipas tij është obligim i shtetit që t’i qëndrojë afër këtij ekipi dhe kësaj pune të shkëlqyeshme të trajnerit Kuka dhe sportistëve të tij.
Gashi duke përmendur sukseset e fundit të Majlinda Kelmendit, tha se rikthimi i saj i fuqishëm dëshmon angazhimin e saj dhe me këtë trend, ai konsideron se do të përfundojë në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Ai gjithashtu, i bëri thirrje dhe kryetarit të komunës së Pejës që të paraqesë lokacionin për ndërtimin e palestrës së xhudos në afat sa më të shpejtë për arsye se gjendja e objektit aktual është jo e kënaqshme.
Ndërsa, trajneri Driton Kuka kishte lëvdata për ministrin Gashi, pasi sipas tij me ardhjen e tij, sporti në përgjithësi ka ecur përpara, sidomos me kategorizimin e sporteve dhe rritjen e pikëve.
Ndërsa, xhudistja Majlinda Kelmendi tha se me anë të këtij memorandumi do të ndihen më të sigurt, pasi do të kenë mbështetjen e shtetit në çdo rrugëtim të tyre.
Ndryshe, javën e kaluar xhudistja Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë në Grand Slam, në Dyseldorf të Gjermanisë.