Pas 27 vitesh është zbardhur vrasja e dy shqiptarëve, Haki Avduti dhe Jakup Avduti, në Beograd. Autor i dyshuar i kësaj vrasjeje është Zoran V. (48), i cili u arrestua kohët e fundit.
Sipas medias serbe Blic, vrasja ka ndodhur më 26 janar 1998, në një ndërtesë në rrugën “Zmaj Jovina”.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 26 janar 1998, në katin e katërt të një banese Zoran V. u ka marrë jetën Hakiut dhe Jakupit me të shtëna nga pistoleta.
Pas krimit, ai është larguar duke hequr dhe hedhur kapuçin dhe dorëzat që kishte përdorur për të fshehur identitetin.
Zoran jetonte dhe punonte në Novi Sad për 27 vite, derisa u arrestua për një rast të drogës dhe armëve.
ADN-ja e tij, e marrë gjatë këtij rasti, e lidhi atë me vrasjen e dy shqiptarëve.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër tij për veprën penale të “Vrasjes së rëndë”./Njeshi/