Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se vetëm këtë vit rreth 60 pjesëtarë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, raporton “Ekonomia Online”.
“Dorëheqje ka pasur vazhdimisht, çdo vit ka pasur dorëheqje, që nga themelimi i Policisë kemi mbi 2200 dorëheqje vullnetare, mirëpo u rrit pakënaqësia te Policia kur u hoq edhe shtesa për rrezikshmëri, duke i pasur parasysh edhe shumë kushte të tjera dhe kemi ardhur në atë pikë që kemi dorëheqje diku deri më tani rreth 60 dorëheqje vetëm për këtë vit dhe kemi paralajmërime për dorëheqje tjera. Ndoshta gati për çdo ditë kemi nga një dorëheqje që është e tepërt dhe i vetmi parandalim i dorëheqjeve vullnetare është përmirësimi i mirëqenies se PK-së. Dorëheqjet janë bërë shqetësuese”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri ka thënë se druhet se dorëheqjet do të vazhdojnë dhe se Qeveria e Kosovës duhet t’ia plotësojë policëve. Zeqiri tha se PK-ja përveç kërkesës për shtesat e rrezikshmërisë, ka kërkuar që të hartohet edhe Ligji për pensionimin e hershëm në të cilën parashihet rregullimin i pensionit, pasi sipas tij, policët pas pensionimit marrin vetëm 100 euro të cilat nuk dalin as për ilaçe.
“Policisë së Kosovës do të duheshin që t’i plotësoheshin disa kushte shumë më herët jo vetëm pse ndodhi rasti i fundit, po në realitet PK ka treguar rezultatet dhe suksese në vazhdimësi që nga themelimi. Mirëpo, kur jemi te mirëqenia, definitivisht është për keqardhje që mungojnë shumë gjëra, jo vetëm shtesa për rrezikshmëri, e cila kjo tani më nuk po ekzekutohet që nga implementimi i Ligjit të pagave. Ne kemi pasur kërkesa të tjera shumë me prioritet. Jemi institucioni kryesor i sigurisë në vend, dhe nuk kemi sigurim shëndetësor dhe jetësor. Është e pa kuptim pse nuk punohet dhe nuk është punuar deri më tani për sigurimin shëndetësor dhe jetësor. Kemi pas kërkesa konkrete drejtuar Qeverisë, kemi pas edhe plan konkret se si mund të bëhet ajo, vetëm duheshin mjetet. Kjo nuk po ndodh”, tha Zeqiri.
“Kemi edhe Ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare shpesh herë po përmendet që nuk është ligj i parakohshëm është ligj në moshën 55 vjeçare. Në këtë moshë, në shumicën e shteteve të botës, polici pensionohet. Polici për punën që e kryen, e kanë paraparë edhe ekspertë të ndryshëm, që deri në moshën 55-vjeçare mund të jetë i freskët që të ju dal zot të gjitha atyre autorizimeve ligjore dhe detyrat që i kryen një polic. Në këtë ligj nuk është vetëm kjo, por zyrtari policor pas përfundimit të karrierës arritjes së moshës 65-vjeçare atëherë kur pensionohet është pa pension, merr një pension prej 100 eurove që nuk është as ndihmë sociale, që nuk i mjafton ndoshta shumicës prej tyre as për barna për ilaçe. Është vërtet tepër nënçmuese në fund të karrierës pas gjithë këtyre sfidave me 100 euro”, tha ai
Zeqiri ka folur edhe në lidhje me raportimet për mungesë të veshmbathjeve të PK-së, ku sipas tij, ka mungesë dhe se PK-ja nuk qëndron mirë me veshmbathje. Ai ka thënë se kjo është duke ndodhur për shkak të mosfunksionimit për një kohë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe për shkak të tenderëve, raporton EO. /Njeshi/