Doracakët “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” për mësimdhënësit, kanë nxitur debat në opinion rreth përmbajtjes së tyre.
Fragmente të këtyre doracakëve është thënë se janë pjesë e teksteve shkollore, e shumë i janë refuar këtij doracaku edhe si lëndë mësimore.
Në këtë zhurmë të krijuar është përfshirë edhe ish-ministrja e Arsimit, Hykemte Bajrami.
Bajrami deklaroi se dokumentet dhe doracakët përkatës nuk janë miratuar gjatë kohës kur ajo ka qenë ministre e Arsimit në kohën e Pandemisë Covid-19.
“Ato çfarë ne i kemi parë dje të publikuar tekstet madje kemi hyrë i kemi parë edhe vetë doracakët, unë personalisht jam kundër ndërtimit psikologjik edhe emocional të fëmijëve në moshën që shkruan në doracak. Mendoj që është kopjim i metodave eksperimentale, këto korrikula nuk janë miratuar sa kam qenë ministre e Arsimit, kjo nuk është e vërtet. Në kohën kur kam qenë ministre është marrë iniciativa për t’u bërë”, ka thënë Bajrami.
E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi. Ai e ka quajtur gjithë këtë zhumrë të krijuar si propagandë dhe tendeca për kauza të reja.
“Qindra lajme, kronika, postime, emisione, debate që tentojnë të përfshijnë edhe fëmijët por askush nuk mban përgjegjësi”, ka shkruar Kelmendi.
Zëvendësministri ka publikuar edhe dy dokumente njërin të vitit 2016 kur edhe kishte filluar hartimi i këtyre doracakëve dhe atë të vitit 2020 kur ishte miratuar.
“Filloi në vitin 2016, në kohën kur ministër ishte Arsim Bajrami (PDK) dhe u pranua në kohën kur ministre ishte Hykmete Bajrami (LDK)”, ka shkruar Kelmendi.
Kelmendi ka pranuar se ka disa pjesë të tekstit brenda këtyre doracakëve që janë të papërshtatshme.
“Nga dhjetëra faqe edukative ka disa pjesë të tekstit të papërshtatshme. Jemi dakord, prandaj po e dërgojmë për rishikim dhe përmirësim nga grupet e ekspertëve profesionalë. Dështoi kauza!”, ka shkruar Kelmendi.
MASHTI gjithashtu dje ka dalur me një sqarim ku ka deklaruar se nuk ekziston një kurrikulë e veçantë për edukimin seksual dhe se nuk ka tekste shkollore specifike për këtë temë, siç është raportuar.
Sipas MASHTI-t, edukimi seksual përfshihet në kurrikulën e Kosovës përmes kompetencës “Individ i shëndoshë,” si çështje ndërkurrikulare që trajtohet në lëndë të ndryshme nga perspektiva shkencore, shoqëror-kulturore dhe shëndetësore, duke ndjekur standardet evropiane të OBSH-së për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve/Njeshi/