17 C
Pec
E premte, 20 Shtator, 2024

Zgjedhjet e nëntë shkurtit me ndryshime – Qytetarët mund të votojnë 10 kandidatë për deputetë dhe nuk ka heshtje zgjedhore

Me 9 shkurt 2025, zhvillohen zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, datë kjo e përcaktuar ditë më parë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka bërë disa ndryshime në procesin e votimit brenda Kosovës. Pa heshtje zgjedhore 48-orëshe, e me procedura të lehtësuara për mërgimtarët, do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Detaje për procesin e ardhshëm të këtyre zgjedhjeve për lajmi.net ka dhënë zëdhënës i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi.

Elezi ka njoftuar se në këto zgjedhje votuesi ka të drejtë të zgjedh deri në 10 kandidatë për deputet nga një subjekt politik, ndërsa në zgjedhjet e kaluara votuesi ka pasur të drejtë të votoj vetëm deri në pesë deputetë.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) ka bërë disa ndryshime të procesit të votimit brenda vendit. Kur flasim për votimin brenda vendit, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik (në zgjedhjet e kaluara votuesi ka pasur të drejtë të zgjedhë/votojë deri në 5 kandidatë për deputetë të një subjekti politik”, ka thënë Elezi.

Ai ka njoftuar edhe për ndryshimin që ka ndodhur në aspektin e numërimit të fletëvotimeve.

“Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së që brenda një kohe të shpejtë të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike. Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë. Gjatë proceseve zgjedhore, në çdo komunë dhe kryesisht në palestra sportive, KQZ do të themelojë Qendrat Komunale të Numërimit”, ka thënë Elezi.

Në lidhje me buxhetin që është planifikuar të shpenzohet nga buxheti i shtetit për organizimin e zgjedhjeve, Elezi ka thënë se ende nuk është planifikuar kjo.

Këto zgjedhje do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Më 31 korrik, presidentja Osmani ftoi të gjitha partitë parlamentare në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë takim nuk mori pjesë kreu i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Pas atij takimi, Osmani ka thënë se partitë kanë pasur propozime të ndryshme për datën e zgjedhjeve, por askush nuk ka insistuar për një të tillë. Disa nga datat e përmendura ishin 26 janari ose 2, 9 dhe 16 shkurti.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Ky opsion u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të japë dorëheqje apo të shkarkohet. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Kësisoj i bie që Qeveria Kurti të çoj deri në fund mandatin drejtues të vendit. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...