22 C
Pec
E premte, 14 Qershor, 2024

Zgjedhjet në Evropë në kohën e krizës demografike

Mungesa e entuziazmit dhe pjesëmarrja e ulët në votime i përcollën zgjedhjet për Parlamentin Evropian prej vitesh, dhe frika se e njëjta gjë do të përsëritet, është e pranishme edhe përpara votimeve që do të mbahen këtë javë.

Për pjesëmarrjen e ulët, përkatësisht nevojën që në procese zgjedhore të përfshihen edhe ata që do të krijojnë të ardhmen e kontinentit evropian, paralajmëroi më herët edhe Konferenca për të Ardhmen e Evropës – një nismë kjo e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, që për synim ka të vlerësojë të ardhmen afatmesme dhe afatgjate të BE-së, si dhe reformat që duhet t’i zbatojnë institucionet e saj.

Sfida bëhet edhe më e madhe në kohën kur Evropa përballet me rënie demografike dhe të rinjtë janë gjithnjë e më pak.

Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat, popullsia e BE-së më 1 janar, 2023, numëronte 448.8 milionë banorë, dhe më shumë se një e pesta e tyre, pra 21.3%, ishin mbi 65 vjeç.

Po në atë periudhë, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.5 vjeç. Sipas Eurostat-it, kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së është më e vjetër se 44.5 vjeç.

Pjesëmarrja në zgjedhjet evropiane është vazhdimisht në rënie dhe ishte gjithë kohën më e ulët se në zgjedhjet kombëtare.

Me këtë fenomen, BE-ja ka gjasa të përballet edhe në zgjedhjet që do të mbahen mes 6 dhe 9 qershorit të këtij viti.

Si u votua deri më tash?

Në zgjedhjet e para evropiane të vitit 1979, kur Komuniteti i atëhershëm Evropian kishte nëntë shtete anëtare, pjesëmarrja ishte 61.9%, ndërsa në zgjedhjet e 2014-ës kjo ra në 42.61%.

Rritja e vetme deri më tani u shënua në zgjedhjet e vitit 2019, kur pjesëmarrja arriti në 50.6% – pra 8% më shumë.

Analizat treguan se kjo rritje ishte kryesisht rezultat i pjesëmarrjes më të madhe të të rinjve.

Sipas të dhënave të Forumit Rinor Evropian, pjesëmarrja e të rinjve më 2019 ishte më e lartë për 14 për qind.

Kjo është arsyeja edhe përse u imponua nevoja për uljen e moshës për pjesëmarrje aktive në politikë, ndonëse jo të gjitha shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa konkrete për të mundësuar pjesëmarrjen e të rinjve.

Janë vetëm 5 nga 27 shtetet anëtare të BE-së që i lejuan qytetarët e tyre nën moshën 18-vjeçare të votojnë. Belgjika, Gjermania, Malta dhe Austria e ulën pragun e moshës në 16 vjeç, ndërsa Greqia në 17 vjeç.

Kur bëhet fjalë për votuesit për herë të parë, sipas Eurostat-it, numri më i madh i tyre është në Gjermani (5.1 milionë), në Francë (4 milionë) dhe në Itali (2.8 milionë). Numri më i vogël, ndërkaq, është në Maltë (20.000), në Qipro (37.000) dhe në Estoni (70.000).

Numri më i madh i votuesve që do të votojnë për herë të parë, pritet në Belgjikë, Francë dhe Gjermani – me 9.7%, 8.0% dhe 7.9% të të gjithë votuesve me të drejtë vote – pra, pikërisht në vendet që e ulën pragun për të drejtën e votës.

Instituti i politikave i Parlamentit Evropian thekson se ulja e moshës së votimit është një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje.

Në mesin e metodave të tjera, ai përmend edhe vendosjen e kuotës për të rinjtë; mundësimin e votimit online ose me postë; uljen e moshës për kandidim, apo promovimin e edukimit qytetar në programet shkollore.

“Disa argumentojnë, gjithashtu, se kufiri më i lartë i moshës për kandidim, mund të jetë pengesa kryesore për pjesëmarrjen e të rinjve. Demokracia evropiane është shumë më tepër sesa thjesht votimi – është gjithashtu angazhim qytetar dhe pjesëmarrje në procese demokratike. Me kalimin e viteve, duket se pjesëmarrja politike ka evoluar, veçanërisht te të rinjtë”, thotë Instituti i politikave i Parlamentit Evropian.

Rëndësia e pjesëmarrjes së votuesve të rinj

Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit do të jenë më shumë se 20 milionë votues për herë të parë në të gjithë BE-në.

Zgjedhjet në Evropë në kohën e krizës demografike

Gjermania ka një numër veçanërisht të lartë të votuesve për herë të parë – më shumë se 5 milionë.

Luise Quaritsch, nga Qendra Jaques Delor në Berlin, vlerëson se nuk ka gjasa që vota e të rinjve t’i ndryshojë ndjeshëm rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve.

Sipas saj, votuesit e rinj në BE, në përgjithësi, ndihen pesimistë për të ardhmen e tyre dhe mendojnë se politikanët nuk i përfaqësojnë në mënyrë adekuate.

Vetëm 6% e përfaqësuesve evropianë janë nën 35 vjeç

Sipas Forumit Rinor Evropian, i cili mblodhi të dhëna publike, të rinjtë janë grup-mosha më e papërfaqësuar në Parlamentin Evropian.

Ndërsa një në pesë evropianë është midis 18 dhe 35 vjeç, vetëm një në pesëmbëdhjetë – ose vetëm 6% e deputetëve – është në të njëjtën grup-moshë.

Në anën tjetër, një në pesë evropianë është midis 51 dhe 65 vjeç, por numri i deputetëve që përfaqësojnë këtë grup-moshë në Parlamentin Evropian, është dy herë më i lartë, përkatësisht 42 për qind.

Përse janë të rëndësishme zgjedhjet evropiane?

Mes 6 dhe 9 qershorit të këtij viti, zgjedhjet e dhjeta evropiane do të mbahen në të 27 shtetet anëtare të BE-së.

Ato përfaqësojnë një moment kyç për demokracinë e BE-së, pasi u japin qytetarëve të drejtën për të zgjedhur drejtimin politik të BE-së.

Zgjedhjet zhvillohen për anëtarët e Parlamentit Evropian, që janë të vetmit përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.

Rezultati i zgjedhjeve do të ndikojë, pastaj, edhe në emërimin e drejtuesve të institucioneve të BE-së, si: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Ata i emërojnë krerët e vendeve anëtare të BE-së, por drejtuesit e institucioneve do të jenë nga partitë që marrin më shumë vota në zgjedhjet evropiane.

Me narrativën e Brukselit, ky vit quhet “superzgjedhor”.

Krahas zgjedhjeve për institucionet e BE-së, në disa shtete anëtare këtë vit mbahen ose u mbajtën zgjedhjet kombëtare.

Viti 2024 është vit zgjedhor edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që është po ashtu e rëndësishme për marrëdhëniet transatlantike. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...