3 C
Pec
E martë, 2 Mars, 2021

Zgjerohet aktakuza ndaj Zoran Gjokiqit, i akuzuar për krime lufte në Pejë

“Shqiptarë krejtve duhet me ju vra. Shkoni në Shqipëri!”. Me këto fjalë u ishin drejtuar civilëve shqiptarë një grup paramilitarësh serbë, pjesë e të cilit ishte edhe i akuzuari për krime lufte Zoran Gjokiq.

Pesë minuta u kishin dhënë afat banorëve shqiptarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke i urdhëruar disa të shkonin në drejtim të Shqipërisë e disa në drejtim të Malit të Zi.

Këto të dhëna janë bërë pjesë e aktakuzës së zgjeruar nga prokurorja speciale Habibe Salihu ndaj të akuzuarit për krime lufte Zoran Gjokiq.

Gjokiq, i cili të premten pritej të jepte fjalën përfundimtare në këtë rast, është njoftuar me akuzat e reja që e rëndojnë.

Përveç akuzave se ka kryer krime gjatë marsit e prillit në lagjen “Kristal” të Pejës, Gjokiq po akuzohet nga Prokuroria Speciale se ka kryer krime lufte edhe në lagjen “Te Soliterat” tani “Rrokaqielli”, duke plagosur, plaçkitur e përndjekur banorët shqiptarët nga Peja.

Në aktakuzën e zgjeruar të Prokurorisë Speciale thuhet se Gjokiqi më 29 mars 1999 kishte marrë pjesë në aksionin për vrasjen dhe dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga shtëpitë e tyre.

Forcat serbe të sigurisë kishin larguar dhunshëm nga shtëpia familjen e Lutfi Hajzerit dhe vëllanë e tij. Derisa largoheshin me veturë ata kishin refuzuar urdhrin e forcave serbe për t’u ndalur. Kishin pasuar të shtënat me armë, nga të cilat ishin plagosur dy fëmijët e Lutfiut. Djali 9-vjeçar ishte plagosur në përpjekje që të mbrojë vëllanë e tij 3-vjeçar, i cili kishte mbetur i plagosur.

Gjokiqi, sipas aktakuzës së zgjeruar, i kishte larguar dhunshëm shqiptarët në lagjen “Rrokaqielli” të Pejës.

“Duke bashkëvepruar në grup kriminal kanë hyrë dhunshëm në shtëpinë e Agim Nikqit duke shtënë me armë zjarri (kallashnikov) në ajër dhe duke i urdhëruar që të dalin nga shtëpitë e tyre brenda 5 minutave, iu kishte drejtuar atyre me fjalët ‘Shqiptarë krejtve duhet me ju vra. Shkoni në Shqipëri!” ka lexuar një pjesë të aktakuzës prokurorja speciale, Habibe Salihu.

Por avokati i të akuzuarit, Lubomir Pantoviq, ka thënë se Prokuroria nuk ka arritur që t’i argumentojë dhe të ofrojë prova për këto pika.

“E kam një lloj përshtypje se kjo është bërë në mënyrë të jashtëligjshme. E para, ky ndryshim nuk e ka arsyetimin dhe ne nuk mund të shohim në bazë të cilave prova është ndryshuar dhe zgjeruar aktakuza”, ka thënë ai.

Megjithatë, trupi gjykues ka marrë vendim që të pranojë zgjerimin e aktakuzës dhe ta përfshijë këtë në po të njëjtën aktakuzë.

Por avokati Pantoviq ka vazhduar të ankohet duke e vënë në dyshim se aktakuza e ndryshuar vjen pas deklarimeve të avokatit të të dëmtuarve, i cili në një televizion kishte folur për këtë çështje.

Ndërsa avokati Kujtim Kërveshi ka thënë se Pantoviq ka thyer Kodin Etik kur viktimat dhe dëshmitarët i ka etiketuar si të rremë në një medium serb.

“Nuk lejohet me Kodin Etik me etiketu viktimën dhe dëshminë akoma pa u ballafaquar para jush se është rrenë”, ka thënë Kërveshi.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet gjatë muajit shkurt.

Zoran Gjokiqi akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, ushtarake dhe paramilitare serbe kishte hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kishin maltretuar dhe plaçkitur, i kishin detyruar banorët që të dilnin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kishin vrarë.

Sipas aktakuzës, Gjokiqi ka ndaluar Skënder Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ka ndarë dhe me kallashnikov i ka ekzekutuar Zeqirajn dhe Berishën. Kurse Shaban Kaliqani kishte shpëtuar, pasi i akuzuari i ishte drejtuar atij me fjalët “Ngaj çka po pret”.

I vrarë kishe mbetur edhe Riza Mamaj, i cili duke lëvizur me karrocë në dorë ishte qëlluar me disa plumba në gjoks.

Në seancën e fundit të mbajtur nëntorin e vitit të kaluar, i akuzuari për krime lufte Zoran Gjokiq gjatë fjalës mbrojtëse nuk kishte arritur t’i konfirmonte datat e qëndrimit dhe largimit të tij nga Peja për periudhën për të cilën akuzohej. Ai ishte konfuz edhe rreth datave në institucionet ku ka punuar pas luftës në Kosovë.

Gjatë seancës ai ishte ballafaquar me deklaratat e tij të dhëna më herët në Prokurori e Polici, të cilat nuk përkonin me ato çfarë deklaronte ai para trupit gjykues.

Ndryshe, Gjokiq për vite me radhë pas luftës ishte pjesë e institucioneve dhe organizatave të huaja në Kosovë. Gjatë seancave gjyqësore, mbrojtja e tij gjatë procedimit të provave kishte shpalosur ID kartelat e Gjokiqit ku ai ishte i punësuar.

Sipas këtyre dokumenteve, Gjokiqi kishte qenë i punësuar në Ministrinë për Kthim, më pas në OSBE e në Zyrën administrative në veri./KTV/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...