23.2 C
Pec
E martë, 3 Gusht, 2021

Zhvillimet në SHBA dhe BE vlerësohet se do të ulin vëmendjen ndaj dialogut Kosovë – Serbi më 2021

Vëmendjen ndërkombëtare që e ka pasur vitin e kaluar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vështirë se do ta ketë edhe sivjet.

Ndërrimi i administratës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe proceset zgjedhore nëpër të cilat do të kalojnë disa shtete të Bashkimit Evropian, sipas njohësve të procesit të dialogut, do të ndikojnë në këtë çështje.

Pavarësisht optimizmit në administratën Biden, Demush Shasha nga Instituti EPIK thotë se presidentit të ri amerikan do t’i nevojitet kohë që të fillojë të merret me të gjitha prioritetet e politikës amerikane.

“Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës ballafaqohen me një varg të gjerë prioritetesh, në veçanti në politikën e jashtme sikur që është Lindja e Mesme, Kina, Rusia, ngrohja globale. Pra, janë shumë tema që do të konsumojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk do të jenë në gjendje që të merren me të gjitha. Prandaj në këtë kontekst, në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm nuk jam shumë optimist se do të kemi ndonjë lëvizje gjatë vitit 2021”, shprehet Shasha.

Skeptik për ndonjë përparim të shpejtë këtë vit është edhe njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer.

“Mendoj që varësisht nga rezultati i zgjedhjeve, procesi për formimin e Qeverisë do të jetë shumë i vështirë. Eventualisht mund të ketë zgjedhje në periudhën 2021 – 2022 në Serbi gjithashtu. Mendoj që viti i ardhshëm mund të paraqesë një përpjekje të mirë për rezultate të menjëhershme, duke shpresuar gjithmonë që pas zgjedhjeve presidenciale të Serbisë mund të shënjohet progres i vërtetë në vendimet e rëndësishme shtetërore”, thotë Serwer.

Administrata e Bidenit e ka konfirmuar angazhimin për t’i shtyrë palët drejt njohjes reciproke, pa cenuar territoret e të dy shteteve.

“Siç ka thënë Presidenti Biden, ‘një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohje reciproke, të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy shteteve dhe të forcojë institucionet e tyre demokratike është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara. Sekretari Blinken ka folur për përpjekjet e administratës Trump për Kosovën dhe Serbinë: ‘Edhe unë e përshëndes atë. Presidenti i zgjedhur, siç e dini, kaloi shumë kohë në ato vende në të kaluarën, dhe mendoj se ai ndan bindjen se ka gjëra që mund të bëjmë për të ndihmuar në lëvizjen e Kosovës përpara dhe gjithashtu shpresojmë të lëvizim Serbinë përpara”.

Në anën tjetër, BE-ja thotë se puna për dialogun është duke vazhduar dhe se për caktimin e takimit të radhës po e pret formimin e Qeverisë së re në Kosovë.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me pjesëmarrësit e tij në Kosovë për dialogun Beograd-Prishtinë. Nuk është për ne si BE të zgjedhim bashkëbiseduesit tanë, por për Kosovën dhe autoritetet e saj të vendosin se si interesat e tyre shërbehen dhe përfaqësohen më së miri. Tani po presim një bashkëpunim të ri të ngushtë me partnerët tanë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor ndërsa administrata e ardhshme amerikane fillon punën e saj”, shprehet Peter Stano, zëdhënës i Punëve të Jashtme të BE-së.

Takimi i fundit i nivelit të lartë është mbajtur në Bruksel më 7 shtator 2020, tri ditë pas nënshkrimit të dokumentit me zotime në Washington. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...