27.1 C
Pec
E martë, 23 Korrik, 2024

ZKA-ja shpalos rezultatet e auditimit të institucioneve, në nivelin lokal përfshihen edhe komunat në veri

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për medie, ka shpalosur rezultatet e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) të institucioneve publike të nivelit qendror, atyre të nivelit lokal dhe ndërmarrjeve publike për vitin 2023.

Spanca ka deklaruar se nga 115 raporte të auditimit, 85 prej tyre janë të Organizatave Buxhetore, 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit.

“Kemi kryer auditimin dhe publikuar gjithsejt 115 raporte të auditimit. Prej tyre, 85 raporte të auditimit për PVF-të Organizatave Buxhetore (OB), 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit. Gjithashtu në kuadër të planit janë audituar edhe 9 projekte të donatorëve. Nga këto auditime janë dhënë 40 opinione të kualifikuara, 63 të pamodifikuar, dhe 4 opinione të kundërta. Prej 47 Organizatave Buxhetore të nivelit qendror kemi dhënë 36 opinione pozitive dhe 11 opinione të kualifikuara që do të thotë që cilësia e raportimit financiar në disa aspekte nuk ka qenë e drejtë dhe e vërtet”, tha Spanca.

Ajo foli edhe për auditimin në nivelin lokal, përfshirë komunat në veri.

“Sa i përket auditimeve të kryera në nivelin lokal, ju njoftojmë se për 38 komunat e audituara, përfshirë këtu edhe katër komunat në pjesën veriore të Kosovës kemi dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara. Për Komunën e Prishtinës dhe Vushtrrisë kemi dhënë konkluzion të kundërt”, shtoi Spanca.

Po ashtu, në vazhdën e përmbushjes së planit, Spanca tha se kanë kryer auditime dhe publikuar raporte edhe për 12 ndërmarrje publike dhe RTK-në si medium publik.

“Këtë vit janë tri ndërmarrje publike që auditohen për herë të parë nga ZKA, si Trepça Sh.A, KOSTT SH.A. dhe K.R.U. “Hidrodrini” SH.A. Bazuar në rezultatet e auditimit, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për gjashtë NP, për katër të tjera kemi dhënë opinione të kundërta, si dhe për tri të tjera opinion pozitiv pra të pamodifikuara. Gjetjet kryesore me ndikim në opinion të auditimit tek ndërmarrjet janë: mosrivlerësimi i pasurive, mangësi në regjistrin e pasurive, mosprovizionim i llogarive të arkëtueshme tregtare, mbivlerësim i llogarive të arkëtueshme, mungesë e të dhënave të plota për grantet, mosprezantim i saktë i pasqyrës së rrjedhës së parasë dhe nënvlerësimi i të hyrave nga shitja”, tha Spanca.

Plani i auditimit për sezonin 2023-2024 u tha se do të përfundojë më 31 gusht të këtij viti. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...